•  

    Facebook mbron minorenët

     

    E Diele, 18 Korrik 2010


     

    Mjafton një klikim për të njoftuar ekspertët të cilët kujdesen për ngacmimet kundër të miturve
    Interneti është vendi i preferuar i miliona të rinjve për të kaluar kohën e lirë, por ata nuk e dinë se kjo dëshirë mund të transformohet në një kurth. Kjo është mënyra e re për të lidhur miqësi në kohën e internetit, por mund të jetë edhe një vend "gjuetie" për pedofilët dhe "gjahtarët e seksit".
    "Facebook", sajti i rrjetit social më popullor të planetit, ka vendosur të mbrojë adoleshentët duke vënë në funksion një kambanë alarmi: një buton paniku për minorenët, por që mund të përdoret edhe nga të rriturit nëse është e nevojshme. Nëse përdoruesit e vegjël mendojnë se kanë hyrë në kontakt me një "gjahtar seksi", mund t'u kërkojnë menjëherë ndihmë ekspertëve. Këta të fundit janë specialistë, të cilët mbështesin dhe ndihmojnë viktimat e reja, i mbrojnë kundër rreziqeve dhe denoncojnë "mishngrënësit".
    Prej ditës së pardjeshme në faqet "Facebook", britanike dhe jo vetëm, është futur një opsion i ri sigurie, ideuar veçanërisht për mbrojtjen e adoleshentëve nga mosha 13 deri në 18 vjeç. Qëllimi është mbrojtja e fëmijëve nga të rriturit, të cilët mund të përpiqen t'i joshin online dhe më pas t'i takojnë jashtë internetit, në jetën reale. Me një klikim të mausit, të rinjtë mund të lidhen me personelin e "Child Exploitation and Online Protection Centre" (Ceop), një shoqatë e specializuar për mbrojtjen e minorenëve përballë kërcënimeve për shfrytëzim dhe abuzim seksual në rrjet. Nëse një djalë ose një vajzë dyshojnë se mos kanë pranuar ndonjë ftesë të dyshimtë nga një mik, duke shtypur butonin e panikut mund të gjejnë menjëherë dikë për të biseduar.
    Prej fillimit të këtij viti në Mbretërinë e Bashkuar filluan të qarkullojnë njoftime të ndryshme derisa "Facebook" u detyrua të merrte masa të këtij lloji, duke qenë se disa gjahtarë seksi e kishin përdorur rrjetin social për të tërhequr gjahun e tyre. Presioni për të vënë masa të rrepta u rrit pasi një 17-vjeçar i quajtur Ashleigh Hall u rrëmbye, u dhunua dhe më pas u vra nga një burrë i cili ishte shtirur si adoleshent, pasi e kishte bërë shok në "Facebook". Me kalimin e kohës, sajti do të bëjë edhe një fushatë të fortë sensibilizuese për të informuar përdoruesit e tij më të rinj rreth opsioneve të reja, duke i ftuar ata që të informohen me të rejat më të fundit.
    "Mendojmë se ekzistenca e këtij butoni paniku, do të jetë si një sinjal paralajmërues kundër pedofilëve", pohon Jim Gamble, drejtori i "Ceop". Joanna Shields, zëvendëspresidente e "Facebook" për Europën, thotë se nuk bëhet fjalë për armë zgjidhëse për ta bërë më të sigurt përdorimin e internetit. "Kemi zgjedhur një rrugë të re për të ndihmuar të rinjtë të ndihen të sigurt nga ky drejtim kur janë online, megjithatë kjo mund të arrihet me një sforco të vogël nga ana e industrisë, policisë, familjeve dhe vetë të rinjve të cilët mund ta ruajnë vetë sigurinë në internet". James Brookshire, zëvendësministri britanik për parandalimin e krimeve, thotë se "një numër gjithnjë e më i madh kriminelësh seksualë përdorin rrjetet sociale për të fshehur identitetin e tyre, në mënyrë që të lidhin miqësi me adoleshentë ose fëmijë". "Butoni i panikut përfaqëson mbrojtje", thotë zëvendësministri, "por është e rëndësishme që qeveria të vazhdojë të punojë me profesionistët e sektorit, policinë dhe prindërit për t'i ndërgjegjësuar të miturit ndaj rreziqeve që u kanosen kur janë në internet".



Ketu do te gjeni gjithçka
 
Today, there have been 3 visitors (193 hits) on this page!
::::L This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free